Arian Tahiri, basketbollisti i ri mitrovicas i cili vitin e kaluar në garat e Streetball Kosova debutoi dhe menjëherë titullin e kampionit të Mitrovicës e fitoi, sivjet përsëri garoi dhe për herë të dytë rresht triumfoi.

Kësaj radhe, Arian Tahiri u shpall kampion me ekipin Global Phone dhe në finale i mposhti pikërisht shokët dhe ish-bashkëlojtarët e “Shoe Zone” me të cilët vitin e kaluar ishte shpallur kampion. Mirëpo, sivjet, në turneun kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014 në Mitrovicë, Arian Tahiri ekipin e ndërroi, me Izet Tahirin dhe Naim Haxhën skuadrën e quajtur Global Phone e komponoi dhe në fund, për herë të dytë rresht triumfoi dhe vizën për Superfinalen në Gjakovë e siguroi.

mitrovica11

Pas përfundimit të turneut kualifikues në Mitrovicë, të shtunën, është kompletuar tetëshja e skuadrave superfinaliste të cilat të dielën më 20 Korrik, në Gjakovë, do të garojnë për titullin e kampionit të Kosovës në Streetball.

Arian Tahiri me shokët e tij Izet Tahirin dhe Naim Haxhën, do ta përfaqësojnë streetballin mitrovica në finalen e madhe të edicionit të 15-të jubilar të streetballit kosovar.

Në sezonin e tij të dytë garues në karrierën e tij prej streetballisti, Arian Tahiri arriti të fitoi turneun Limak Streetball Kosova 2014 në Mitrovicë, dhe kështu sa i përket garave në qytetin e tij të lindjes ka sukses të 100%. Si thamë më herët, ai në finale mposhti shokët e tij Albert Muharremin dhe Egzon Tahirin, ish-bashkëlojtarët nga skuadra kampione e Mitrovicës vitin e kaluar, Shoe Zone.

Fati dhe shorti e deshi ashtu që këto dy skuadra të takohen në finale ku Global Phone ishte më i mirë dhe fitoi me rezultat të ngushtë 15:12.

Turneu i Mitrovicës ishte turneu i shtatë dhe i fundit kualifikues nëpër qytete në kuadër të Kampionatit të sivjetmë të Kosovës në Streetball, të quajtur Limak Streetball Kosova 2014 dhe solli shumë ndeshje kualitative dhe të forta.

Djelmoshat e Global Phone për të arritur deri në fronin e sivjetmë të streetballit mitrovicas, fillimisht në grupin A mposhtën me rezultat 15:12 ekipin e fortë Na 3 edhe Fidani, të udhëhequr nga Safet Mustafa i Trepçës.
Pastaj në ndeshjen e dytë mposhtën edhe ekipin tjetër kompakt, Dream Team Mitrovica, me rezultat po ashtu shumë të ngushtë 13:11 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.

Nga ana tjetër në grupin B, ku garuan ekipet me emrat ma simpatik të turneut: 4 Gjermanët, Gagi Ain’t Easy dhe Ju ngrehum zhag , dominuan djelmoshat e Gagi Ain’t Easy të udhëhequr nga veterani i streetballit mitrovicas, Gazmend Musliu i cili asnjëherë deri tash nuk e ka huq streetballin në Mitrovicë, përveç në vitin kur e kishte të lënduar këmbën dhe u desh të pushoi medoemos. Nga ky grup në gjysmëfinale u kualifikua Gagi Ain’t Easy por ajo që patjetër duhet thekuar është kthimi apo më mirë thënë ribashkimi i stretballistave atraktiv Metit (Mehmet Tahiri), Skipit (Syart devolli) i cili ka ardhur nga Austria në pushime dhe Mad Skills (Riad Aliu).
Ajo çfarë bënë këta djelmosha me top basketbolli në fushë ishte mrekulli dhe i ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit. Me atraksionet dhe akrobacionet streetballistike ata i kënaqën të gjithë të pranishmit. Për ta kalimi në rrethin e dytët garave nuk ishte imperativ. Qëllimi i tyre ishte të zbaviten për veti dhe t’i zbavisin të tjerët; gjë të cilën edhe e arritën, maksimalisht. Hallall ! Meti-Skipi_Mad Skills pas shumë vitesh përsëri së bashku kanë bërë mrekullira në Mitrovicë.

Dhe në grupin C, nga i cili në gjysmëfinale dolën 2 skuadra, dominuan Shoe Zone kampionaët e vitit të kaluar dhe skuadra Mitrovica. Egzon Tahiri sivjet në skuadër ishte përsëri me Albert Muharremin por përbërjen e kishte përtëri me talentin e ri mitrovicas i cli la përshtypje të jashtëzakonshme, Agon Selmanin dhe Sead Haxhën.

Në gjysmëfinalen e parë Global PÇhone mposhti Mitrovicën me rezultat 11:8, kurse Shoe Zone e mposhti ekipin simpatik Gagi Ain’t Easy, duke e përcaktuar çiftin finalistë shumë interesant, për disa arsye.

Së pari, dueli Global Phone – Shoe Zone ishte përballja e Arian Tahirit i cili vitin e kaluar pikërisht me rivalët e tij të finales ishte në të njëjtin ekip kur edhe kishte triumfuar. E dyta, ishte kjo përballje e vëllezërve Haxha që vitin e kaluar luajtën baskë kurse sivjet, Global Phoen dhe Shoe Zone i dërguan në dy skuadra të kundërta. Dhe e treta, paraqitja fenomenale e të riut Agon Selmani i cili shkëlqeu jnë këtë turne dhe u shpall si MVP i Limak Streetball Kosova 2014 në Mitrovicë.

Si thamë edhe në fillim, duelin final efitoi Global Phone me rezultat të ngushtë 15:12 dhe kështu Arian tahiri i cili shpallet mbret i streetballit mitrovicas për herë të dytë rresht, të dielën në Gjakovë, së bahsku me edhe 7 skuadrat tjera do të garojë për titullin e kampionit të Limak Streetball Kosova 2014 dhe tri super-shpërblimet: “1000 copa t’buta”, të drejtën për kualifikim direkt në Superfinalen e vitit 2015 në Prizren dhe përfaqësimin e Kosovës në Bucharest Challenger 2015.”

Pra, ishte ky turneu i 7-të kualifikues i edicionit të sivjetmë të Kampionatit të Republikës së Kosovës në Streetball , i quajtur sipas sponsorit gjeneral Limak Streetball Kosova 2014 pas të cilit u kompletuan emrat e skuadrave superfinaliste.

 

Arian Tahiri për herë të dytë rresht kampion, sivjet me Global Phone