Streetball Kosova ® – Shoqata e Streetballit e Kosovës anëtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA 3×3 Basketball (FIBA Endorsed )
Che Bar thyen izolimin streetballistik ndërkombëtar

Kampionia e dyfishtë e Kosovës në streetball, skuadra Che Bar e cila të dielën e kaluar në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 mbrojti titullin e kampionit, do të hyjë në histori të “basketit 3 kundër 3” apo si e quajmë ne streetballit, si skuadra e parë e cila e ka prezantuar shtetin e Kosovës në një garë zyrtare të FIBA-s.

Fikret Shatri, Ismet Ferati, Enver Dili dhe Fisnik Juniku, të premten herët në mëngjes do të nisen në drejtim të kryeqytetit të Rumanisë, ku do të debutojë në garat zyrtare të FIBA 3×3 Basketball, më saktësisht në Bucharest Challenger 2014 , turneun sfidues i cili tubon skuadrat më të forta të Evropës Juglindore por edhe ato nga Evropa Lindore dhe gadishulli Iberik.

Ekipet nga Shqipëria, Andorra, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia, Polonia, Rusia, Serbia dhe Spanja si dhe katër skuadrat më të mira të Rumanisë e kanë konfirmuar prezencën e tyre në Bukuresht dhe do të garojnë për të arritur qëllimin e tyre: kualifikimin në World Tour.

Për dy ditë rresht, më 26-27 korrik, 12 skuadrat më të mira evropiane, në mesin e të cilave edhe kampionia e Kosovës, Che Bar, së bashku me katër skuadrat më të mira rumune, do të luftojnë për një vend në FIBA 3×3 World Tour dhe fondin e shpërblimeve prej 5.000 dollarë amerikan.

Fituesit do t’i takojnë 4.000 dollar dhe kualifikimi për në FIBA 3×3 World Tour Prague Masters,ndërsa vendit të dytë do t’i takon shpërblimi prej 1.000 USD.

Është interesant të thuhet se katër lojtarët e kombëtares së Rumanisë në streetball të cilët, muaj më parë në Moskë, kishin arritur deri në çerekfinalen e Kampionatit Botëror të FIBA 3×3, janë bashkuar dhe kanë formuar një ekip, enkas për këtë garë dhe njëherësh konsiderohen ndër favoritët e këtij turneu.

Një tjetër skuadër e fortë është po ashtu skuadër rumune, Salajan Hustlers, finaliste e edicionit të kaluar të Bucharest Challenger kurse një nga favoritët kryesor është skuadra Team Novi Sadi nga Serbia e udhëhequr nga lojtari numër një në botë, Dushan Domoviq-Bulut, i cili fitoi edicionin e kaluar të Bucharest Challenger dhe me sukses vazhdojë garat në Prague Masters e deri te finalja e FIBA 3×3 World Tour Final në Stamboll, ku u mposht nga skuadra Brezovica nga Sllovenia.

Che Bar duke e pranuar shpërblimin e parë të Limak Streetball Kosova 2014 nga Haldun Kokturk – Drejtori Gjeneral i Liamk Kosova

Pra, katër musketarët e streetballit kosovar: Fikretin, Ismetin, Enverin dhe Fisnikun i pret një turne shumë i vështirë por ata shprehen të gatshëm për këtë sfidë dhe nuk ua kanë frikën fare rivalëve, përkundrazi, Fikret Shatri thotë se do ta lënë zemrën në fushë dhe do të luftojnë deri në atomin e fundit për ta prezantuar sa më mirë vendin tonë: “Është ky debutim i streetballit kosovar në arenën ndërkombëtare, në një garë të organizuar nga FIBA 3×3 Basketball dhe me këtë po e hapim një faqe të re në historinë e stretballit por edhe basketbollit të Kosovës. Pa dyshim se, Agon Fehmiu si kryetar dhe Shoqata e Streetballit e Kosovës kanë bërë një punë të madhe dhe basketbollin e Kosovës, gjegjësisht, “basketin 3 kundër 3” e kanë sjell aty ku e ka vendin, në mesin e ekipeve më kualitative evropiane. Agoni ka punuar palodhshëm tash e 15 vite për ta arritur këtë dhe ja ka dal, ndërsa tash, detyra dhe obligimi i ynë është që t’ia zbardhim fytyrën atij dhe mbarë vendit tonë. Ne do ta japim maksimumin. Jemi përgatitur tash e 1 muaj në mënyrë shumë intensive për këtë garë dhe testin e fundit, aspak të lehtë mund të them, e kishim javën e kaluar në Gjakovë, në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 ku arritëm të triumfojmë dhe të shpallemi kampion të Kosovës në streetball për herë të dytë rresht” tha Shatri

Veterani s’njeh penges: Fikreti në aksion pranë Fis Memetit depërton

Kurse, plejmejkeri atomik i kësaj skuadre dhe lojtari më i “parehatshëm” të cilin kundërshtarët vështir mund ta ndalin, Fisnik Juniku shtoi se “ nuk ma ndien hiq se kë e kam përball, Bulutin apo ndonjë tjetër, ne po shkojmë atje me luajt më së miri që mundemi dhe me i mposht të gjithë. Qëllimi ynë është vazhdimi i garave në Pragë dhe kaq…” ishte i shkurtë dhe i prerë djaloshi i cili edhe me paraqitje fizike por edhe me lojë i ngjanë Toni Parkerit të San Antonio Spurs.

Fisi i pandashëm në depërtim

Ismet Ferati, snajperi këtij ekipi është më i kujdesshëm dhe thotë se i ka përcjell dhe i njeh shumë nga ekipet pjesëmarrëse andaj thotë se duhet të jenë të kujdesshëm, të bëjnë sa më pak gabime dhe të kenë sa më pak topa të humbur, njëherësh duke e mbyllur maksimalisht hapësirën nën kosh, në mbrojtje : “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luajmë mençur, pa presion dhe të vendosur. Sa më pak topa të humbur, me depërtime të shpejta në brendi për t’i ngarkuar me faula kundërshtarët dhe natyrisht, në raste kur të kemi sukses me aksionet tona të ushtruara për ta lënë të lirë një ekstra lojtarë, do të bombardojmë nga distanca. Është ky debutim i basketbollit të shtetit tonë në një garë zyrtare ndërkombëtare andaj kemi përgjegjësi dhe obligim që të paraqitemi sa më mirë… Po ashtu, me ne do të jetë edhe Agoni, e ai qe besa nuk është aspak i qetë si trajner dhe ku-ku për ne nëse humbim (ha ha ha)” me humor përgjigjet Ismet Ferati, plejmejkeri i cili në karrierën e tij i ka dy tituj të Superligës së Kosovës në basketboll, me Mabetexin dhe me Prishtinën, kurse pas braktisjes së basketbollit aktiv dhe transferimit në streetball, Ismeti në dy vitet e fundit i ka fituar dy tituj, si anëtarë i skuadrës Che bar.
Kampion se kampion – Ismet Ferati

Më i qeti por ndoshta më i rrezikshmi në skuadër Enver Dili, thotë se janë maksimalisht të përgatitur dhe fal organizimit të mirë të udhëtimit nga ana e Agon Fehmiut, kryetarit të Shoqatës së Streetballit të Kosovës, skuadra do të mbërrijë më shumë se 24 orë para fillimit të garave dhe do të ketë kohë të mjaftueshme për të pushuar dhe për tu ambientuar: “ Jemi shumë të relaksuar para udhëtimit. Po e them këtë në aspektin pozitiv, nuk kemi presion sepse e dimë se do të luftojmë maksimalisht në çdo ndeshje e aty pastaj do ta shohim. Ndër mend nuk e kemi të lëshojmë pe sepse qëllimi ynë është kualifikimi në Pragë dhe t’ju marrim organizatorëve qato 4000 dollarë (ha ha ha)” po ashtu me plotë humor, e thotë Enveri.
Enveri e përqafon Fisin pas triumfit në Limak Streetball Kosova 2014

Pra, të shtunën dhe të dielën më 26 dhe 27 korrik, në Bukuresht të Rumanisë, kampionia e dyfishtë e Kosovës në streetball, skuadra Che Bar do ta hapë një faqe të re në histori të “basketit 3 kundër 3” apo streetballit, sepse do të bëhet skuadra e parë e cila e ka prezantuar shtetin e Kosovës në një garë zyrtare të organizuar nga FIBA.
Agon Fehmiu, kryetari i “Streetball Kosova” – Shoqatës së Streetballit të Kosovës anëtare e FBK dhe FIBA 3×3 Basketball, para nisjes për në Rumani deklaroi se Fikreti, Ismeti, Enveri dhe Fisniku, të premten në mëngjes do të nisen në drejtim të Bukureshtit për të shkruar historinë më të re të basketbollit të Kosovës :
“ …shumë mirë e dini se edicioni i sivjetmë i streetballit kosovar ishte edicioni i 15-të jubilar dhe gjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë, kolegu im Agim Musliu dhe unë, kemi shkrirë shumë mund dhe djersë, kemi punuar me mish e me shpirt për të ardhur kjo ditë kur ekipi i Streetball Kosova do të debutojë në garat zyrtare të FIBA-s. Nuk e kemi pasur aspak lehtë sepse gjatë rrugës deri këtu kemi pasur shumë pengesa, objektive dhe subjektive, por këto tash të gjitha më nuk kanë rëndësi sepse e rëndësishme është se do të mundohemi ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në Bucharest Challenger 2014, turneun i cili tubon skuadrat më të forta të Evropës nga Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Maqedonia, Rusia, Serbia dhe Spanja, gjitha këto superfuqi të basketbollit evropian dhe do të garojnë që eventualisht të kualifikohen për World Tour” tha Fehmiu duke u mahitur se s’ka kush e ndal Fisin drejt çmimit të parë që është 4.000 dollarë
“ …Fisi ja ka msy katër mijëshes dhe njeri po don me e pa edhe Pragën në Gusht, kështu që vaj halli për kundërshtarët e ti në Bukuresht (ha ha ha)” buzëqeshte Agoni duke e kthyer menjëherë seriozitetin dhe duke shprehur falënderimin përkrahësve të këtij udhëtimi, Departamentit për Sport të Kosovës në kuadër të Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport si dhe sponsorit gjeneral të kampionatit të sivjetmë të Kosovës në Streetball kompaninë Limak Kosova – Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe drejtorin e kësaj kompanie z. Haldun Köktürk-un.
Agon Fehmiu
Kryetar i Streetball Kosova

“Në fund…” tha Fehmiu “çdo mundim dhe përpjekje qëllimmirë shpaguhet. Ne përherë kemi pasur idenë se si duhet ta zhvillojmë streetballin në Kosovë dhe asnjëherë nuk jemi dorëzuar, kurrë… në asnjë çast, as atëherë kur kemi pasur obstruksione dhe pengesa të mëdha. Mirëpo, fal zotit dhe njerëzve të vullnetit të mirë, si dhe atyre që me të vërtet e çmojnë punën që po e bënë Streetball Kosova, kemi arritur deri në pikën kur ëndrra po bëhet realitet: për dy ditë rresht, më 26-27 korrik, ekipi ynë Che Bar do të garojë kundër 15 skuadrave më të mira evropiane, për një vend në FIBA 3×3 World Tour në Prag dhe shpërblimin prej 4.000 dollarëve. Unë s’kam çka të them tjetër veç se po fluturoj nga gëzimi dhe me këtë rast i falënderojë të gjithë përkrahësit tradicional, duke filluar nga kompania Dukagjini dhe më vonë Kompania e Sigurimeve Dardania, që për një dekadë ishin mbështetës kryesor të këtij aktiviteti dhe së bashku me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, tash e një dekadë, duke filluar nga ish-ministrat Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Lytfi Haziri dhe ministri aktual, Memli Krasniqi, të gjithë e kanë vlerësuar lartë punën e Streetball Kosovës dhe e kanë ndihmuar që sot, të arrijmë aty ku e kemi vendin, në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, i falënderojë me zemër të gjitha institucionet e Kosovës, në radhë të parë Asociacionin e Komunave të Kosovës në krye me Sazan Ibrahimin, pastaj të gjitha komunat veç e veç, në këto dhjetë vitet e fundit, Federatën e basketbollit të Kosovës, në veçanti duke filluar nga ish-kryetari Belul Beqaj dhe ish-sekretari i përgjithshëm i asaj kohe, Artan Qerkini, që ishin njerëzit më të merituar për anëtarësimin e Shoqatës së Streetballit të Kosovës në FBK, sikurse edhe ish-kryetarin e FBK-së Fatmir Gashin me ish-sekretarin Nazmi Paqardën, të cilët e ndihmuan procesin e pranimit të Streetball Kosova në FIBA 3×3 Basketball. Po ashtu, një falënderim i veçantë shkon për mediumet të cilat për 15 vite rresht e kanë bërë promovimin e streetballit: Sporti në KTV, në kohën sa isha redaktor sporti aty dhe më pas, redaksia e sportit në RTV21 e cila tash e katër edicione është partnere mediale dhe përkrahëse e madhe e streetballit dhe me këtë rast dëshirojë t’i falënderohem më së shumti drejtorit Eugen Saraqinit dhe redaktorit, Agim Binakut që pa kursyer fare e kanë shtyrë streetballin përpara. Një falënderim i madh shkon edhe për Ambasadën Norvegjeze në Prishtinë e cila tash e tri vite, ka përkrah maksimalisht streetballin e Kosovës dhe ka qenë një nga shtyllat kryesore drejtë ndërkombëtarizimit.

Natyrisht, i falënderohem edhe shumë përkrahësve të artë si bankat TEB, NLB, Raiffeisen dhe së fundmi Banka për Biznes, të cilat në periudha të ndryshme kohore kanë përkrah aktivitetin tonë. Sivjet po ashtu falënderojmë grupin Mabetex me hotelin më ekskluziv në Kosovë Swiss Diamond si dhe kompaninë Conad, e shumë e shumë sponsorë të tjerë, njerëz të vullnetit të mirë që gjatë këtyre 15 viteve na kanë sjell qoftë edhe një gotë të ftohtë me ujë, gjatë punës tonë.

“Udhëtimi në Bukuresht ku Che Bar do të shkruaj histori është meritë e gjithë atyre që kanë marr pjesë në streetball, nga edicioni i parë e deri te ky i fundit, bashkëpunëtorëve që na kanë ndihmuar në organizim, referëve, zyrtarëve të institucioneve, kompanive dhe firmave sponsore, medieve sportive të shkruara he elektronike dhe së fundmi, por më me rëndësi, më shumë se 350.000 shikuesve që në këto 15 vite ishin me ne, kudo që ishte Streetball Kosova” tha në fund Agon Fehmiu dhe e përmbylli me “ Ju faleminderit të gjithëve, pa ju kjo nuk do t’ ishte e mundur dhe ta dini se gjithë ju jeni me ne në Bukuresht”

Duhet theksuar se me delegacioni Kosovar në Bukuresht do të udhëtojë edhe ekipi i RTV21, televizionit i cili e ka marr primatin e përcjelljes së ngjarjeve të basketbollit vendor dhe si thoshte dikur një komentator i basketbollit “ Tash zemra e basketbollit po rrah në RTV 21.”

Lajmet mbi ngjarjet në Bucharest Challenger 2014 mund t’i gjeni duke i përcjell edicionet e lajmeve sportive por edhe pasqyrën e sportit 2 me 1, të dielën dhe po ashtu në

http://www.3la3.ro/2012-en/index.php/the-third-edition-of-raiffeisen-bank-bucharest-challenger-is-ready-to-go/

https://www.facebook.com/officialstreetballkosova?ref_type=bookmark

BUCHAREST CHALLENGER 2014