Ekipi Turistat i cili triumfojë të dielën e kaluar në garën spektakolare të streetballit kosovar në Zona Park të Prizrenit, do ta përfaqësojë Qytetin e Lashtë në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014.

Përveç Turistave të udhëhequr nga rumuni Bob Amarucai i cili për herë të dytë rresht triumfoi në Prizren, në superfinale tashmë janë kualifikuar edhe fituesi i turneut të sivjetmë kualifikues në Gjakovë, ekipi HD Club me Drtion rracin në krye, kampioni i Prishtinës ekipi Mr. Pantina me Valon Behramin, kampionia e Pejës skuadra e Istogut me Diamant Shabanin dhe kampionia në fuqi e Kosopvës në Streetball, skuadra Che Bar, e cila ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e këtij edicioni.


Pra, tashmë i kemi mësuar pesë nga tetë superfinalistët e Limak Streetball Kosova 2014 që me 20 korrik në Gjakovë do të luftojnë për tri çmime kryesore: “1000 copa t’buta”, kualifikimin direkt në superfinalen e vitit 2015 dhe përfaqësimin e Kosovës në garën e FIBA 3×3 Basketball, Bucharest Challenger 2015.

Atmosfera streetbolllistike sa shkon e bëhet më fantastike

Kanë mbetur vetëm edhe tri vend të lira dhe njëra prej tyre do të plotësohet të shtunën, në Ferizaj.

Pas një gare të jashtëzakonshme në Prizren, atmosfera streetballistike në Kosovë është ngrohur maksimalisht. Si thamë nga tetë vende që dërgojnë në Superfinale, kanë mbetur vetëm edhe tri. Njërin prej këtyre vendeve do ta plotësojë kampioni i Ferizajit i cili do të përcaktohet të shtunën me 12 Korrik, në zemër të qytetit, në fushën tradicionale të streetballit ferizajas e cila gjendet në platon para Kuvendit Komunal.

Regjistrimet do të fillojnë nga ora 10:00 deri në ora 10:45 dhe më pas, kur të hidhet shorti, saktësisht nga ora 11:00 do të fillojnë garat e Limak Streetball Kosova 2014, turneut kualifikues në Ferizaj.

Si zakonisht, është paralajmëruar pjesëmarrja e veteranëve të streetballit ferizajas sikurse viteve të kaluara , Hysen Sadikuit e Visar Xhemajlit, por sivjet ata do të kenë konkurrencë shumë më të madhe ngase juniorët e dikurshëm që sivjet kanë zënë vend në ekip të parë të Kastriotit, po ashtu kanë paralajmëruar pjesëmarrje me ekipet e tyre. Djelmoshat e rinj që ngadalë janë pjekur si lojtarë, si për shembull Flakron Sahiti, Gent Shabani, Orges Murseli, Besar Ahmeti dhe Avdi Krasniqi , tashmë po japin sinjale se janë të gatshëm të maten me “Bacët” e tyre. Pra, shumë shumë ish-basketbollistë dhe ata që janë ende aktiv, kanë paralajmëruar se të shtunën në zemër të Ferizajit, do të jenë pjesë e turneut kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014.

Si çdo herë në Ferizaj, pritet një numër i madh i ish-basketbollistëve dhe atyre që për rekreacion luajnë basket “3 kundër 3”. Ata kanë paralajmëruar se do të tubohen në një vend për të matur forcat dhe për të kaluar një ditë të bukur duke u shoqëruar me ‘muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi’.

Fuad Beluli, ish basketbollist dhe aktualisht ndihmës trajner i Kastriotit, ka paralajmëruar se ekziston një interesim i madh i ekipeve për të marr pjesë në turneun e dytë të pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 (FIBA Endorsed) sivjet të quajtur Limak Streetball Kosova 2014 në Ferizaj:

“Është krijuar një atmosferë shumë e bukur dhe tërheqëse sa që unë, doktori Agim Bytyqi dhe Gëzim Vata, të gjithë veteranë të basketbollit ferizajas, jemi duke shqyrtuar mundësin për të marr pjesë edhe pse me 50+ vjet në këtë nxehtë po është pak vështirë. Sidoqoftë, këto ndryshimet që janë bërë në sistemin e garave dhe vendimi që kampioni i sivjetmë i Limak Streetball Kosova të shkon direkt në superfinalen e vitit të ardhshëm dhe që kampioni i sivjetmë ta prezantojë vendin tonë në garat e FIBA 3×3 Basketball vitin e ardhshëm, ka ndikuar te ngritja e interesimit për pjesëmarrje. Qe një javë, temë e nxehtë e bisedave tona, përveq Botërorit Brazili 2014 është bërë pikërisht streetballi dhe mezi po e presim të shtunën” tha Beluli i cili shtoi se shumë ish-lojtarë të Kastriotit por edhe ata aktiv kanë paralajmëruar se do të vijnë të shtunën në qendër të Ferizajit për të garuar, për tu kënaqur dhe për të kaluar kohë të bukur me këtë ngjarje të jashtëzakonshme , të cilën sipas tij, ferizajasit e presin me padurim për plotë 365 ditë.

Më tej, Beluli deklaroi se interesimi i madh për pjesëmarrje në aktivitetet e kampionatit shtetëror të Streetball Kosova, përherë ka ndikuar që qyteti i Ferizajit të frymojë me frymën e këtij sporti magjik. Kjo sipas tij, do të ndikojë që qytetarët e gjitha moshave të tubohen të shtunën paradite në zemër të Ferizajit për tu kënaq me festivalin e streetballit në Ferizaj.

Pra, t’ju kujtojmë edhe një herë, regjistrimet e ekipeve do të fillojnë nga ora 10 deri në orën 10:45 kur edhe do të hedhet shorti për ndarjen e ekipeve në grupet e fazës së parë të turneut Limak Streetball Kosova 2014 në Ferizaj, ndërsa ndeshja e parë do të fillojë nga ora 11:00.

Kështu, të shtunën më 12 korrik, i tërë fokusi i familjes basketbollistike ferizajase dhe të rinjve e të rejave të cilët e duan këtë sport magjik, do të jetë në Platon para Kuvendit Komunal.

Kush do ta fitoj turneun e Ferizajit dhe pastaj të vazhdojë rrugën për në Superfinale mbetet të shihet.

Mirëpo një është e sigurtë, kampionin e Ferizajit sivjet nuk e pret punë aspak e lehtë në superfinale ngase aty sivjet ka shumë-shumë ekipe të forta që synojnë titullin e kampionit absolut të kampionatit të sivjetmë, të 15-tit jubilar të streetballit kosovar, me çka, përveç çmimit kryesor prej “1000 copave t’buta” i garantohet edhe kualifikimi direkt në superfinalen e vitit të ardhshëm dhe e drejta që ta përfaqësoj vendin tonë në garat ndërkombëtare të vitit të ardhshëm, Bucharest Challenger 2015.

Pra, pesë emra i dimë… të gjashtin do ta mësojmë të shtunën, në Ferizaj.

Pra, suksesi dhe tradita 15 vjeçare e Streetballit Kosovar tashmë i ka shpërthyer edhe barrierat e izolimit që i janë vënë sportit tonë dhe ky sport i është bashkuar familjes gjigante e cila numron mbi 300 milion streetballista të cilët shpresojnë se shumë shpejtë, nëse jo në olimpiadën Rio 2016 atëherë më së largu në LOV 2020, basketi 3 kundër 3 të bëhet sport olimpik.

Ferizaji qendër e spektaklit streetbollistik