Fisnik Memeti, Florian Kurteshi, UkshinDemi dhe Gynejt Bajra ishin të fundit që u regjistruan për të marr pjesë në turneun kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014 në Gjilan dhe e emërtuan ekipin Loosers (Humbësit) mirëpo ja që rrjedha e këtij turneu doli të jetë krejtësisht ndryshe dhe në fund, kjo katërshe fantastike gjilanase doli fituese dhe nxori vizën për Superfinalen e 20 korrikut në Gjakovë.
Florian Kurteshi (krah-hapur), Gynejt Bajra (duke puthur kupën), Ukshin Demi (unë jam numër 1) dhe Finsik Memeti (duke i shikuar çka po bojnë shokët e tij)


Kënaqësitë e edicionit të 15-të jubilar të streetballit kosovar, sivjet të quajtur Limak Streetball Kosova 2014 , të dielën me 13 Korrik vazhduan në Gjilan me turneun e parafundit kualifikues pas të cilit u përcaktua edhe superrfinalisti i shtatë i sivjetmë.
Skuadrave fituese të turneve paraprake kualifikuese: HD Club nga Gjakova, Mr.Pantina nga Prishtina, Istogu nga Peja, Turistat nga Prizreni dhe 123 nga Ferizaj, të dielën ju bashkua edhe ekipi Loosers nga Gjilani.
Në Gjilan sivjet garuan 8 skuadra të ndara në dy grupe dhe shfaqen ndeshje jashtëzakonisht të forta dhe atraktive, por para se gjithash tejet korrekte dhe fer.
Shikuar në përgjithësi, edicioni i 15-të jubilar i streetballit kosovar është karakterizuar me lojëra të mrekullueshme, atraktive, dinamike e dramatike dhe mbi të gjitha, që është më e rëndësishme : me disiplinën më të mirë në histori të kësaj gare në vendin tonë.
Ky fakt e ka gëzuar më së shumti organizatorin e këtij aktiviteti tradicional, Shoqatën e Streetballit të Kosovës anëtaren e FBK dhe FIBA 3×3 Basketball dhe i pyetur për rrjedhën e sivjetme të kampionatit, sekretari i përgjithshëm i Streetball Kosova, Agim Musliu ndër të tjera tha “… ta shohësh gjithë këtë rini në ë mbarë Kosovën duke luajtur basket të shkëlqyeshëm, të shohësh kaq talenta me aq dëshirë të madhe për të luajtur, për tu kënaqur dhe me dëshirë të madhe për të fituar dhe shkuar në Superfinale mirëpo jo me çdo kusht , është shpërblimi më i madh për mua dhe Agonin. Të shohësh se ajo motoja e Streetball Kosovës ‘muzikë , diell dhe kënaqësi streetballi’ po përmbushet 1000 % na bënë tejet të lumtur dhe na jep shtytje për të ngritur nivelin e punës tonë në një shkallë edhe më të lartë. Çka t’ju them veç se: jam shumë shumë i lumtur dhe krenar që kemi këos rinie…”
Pra, Karvani i Limak Streetball Kosova 2014 të dielën ka vazhduar shtegtimin e vet nëpër Kosovë duke u ndalur në Gjilan, stacionin e gjashtë sivjet, ku garuan 8 skuadra, të ndara në dy grupe.
Ndeshjet e zhvilluara ishin fenomenale dhe përkundër rivalitetit , loja ishte jashtëzakonisht korrekte dhe fer prandaj Gjilani, të dielën, me plotë kuptimin e fjalës e ka përmbushur moton e Shoqatës së Streetballit të Kosovës duke krijuar atmosferë fenomenal me muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi.
Në fazën e parë të garave nëpër grupe, Grupi A përballi ekipet: Dream Team në krye me talentin gjilanas Arian Memetin, Kah Dulëm Na – finalistin e vitit të kaluar në Prizren dhe Përlepnicën, skuadrën kampione të pesëfishtë të Gjilanit dhe një herë të Kosovës në vitin 2009 e cila sivjet luajti me përbërje të përtërirë. Skuadra e katërt ishte skuadra Selfie e cila erdhi nga Peja dhe udhëhiqej nga Albesian Nikqi.
Në këtë grup, pa konkurrencë ishte skuadra Kah Dulëm Na nga Prizreni e cila në përbërje kishte Arian Paqarizin, Emanuel Lleshin, Shkodran Gashin dhe Jeton Kallabakun e cila mposhti të tre rivalët kurse vendin e dytë në grup e zuri skuadra Dream Team me Arian Memetin në krye. Disfatën e vetme Dream Team-i e ka pësuar në xhiron e tretë të grupit A dhe atë me rezultat maksimalisht minimal, 15:14, nga ekipi prizr5enas që të dielën kishte ardhur në Gjilan: skuadra Kah Dulëm Na
Në grupin B, grupin e vdekjes, garuan fituesit e këtij turneut, Loosers, të udhëhequr nga ylli i basketbollit gjilanas Fisnik Memeti dhe ekipi Ballers i cili së bashku me ekipin Loosers, sipas mendimit të shumicës së adhuruesve të streetballit prezent në këtë ngjarje, konsiderohej si favorit për ta fituar turneun në Gjilan. Skuadra Ballers përbëhej nga trio prizrenase: Altin Sahiti, Ujkan Karanezi dhe Arianit Çollaku.
Ballers startuan me fitore ndaj Loosersave në ndeshjen e xhiros së parë të grupit A e cila ishte , lirisht mund të themi, finale para finales. Pas një ndeshjeje dramatike dhe të fortë, Ballers arriti fitore të ngushtë, me rezultat 15:13 dhe më pas mposhti KB Besën mirëpo i komplikoi punët në grupin A pasi që në xhiron e fundit pësoi disfatë nga ekipi Ëe Ball, me rezultat 9:12. Këhstu grupi i vdekjes e arsyetoi epitetin ngase në fund, pas tri xhirove, tri skuadra kishin sukses të barabartë: nga dy fitore e një humbje. Në këso raste, sipas rregullave të FIBA 3×3 Basketball, shikohet numri më i madh pikëve të shënuara dhe bazuar në këtë rregull, Loosers që në tri ndeshje kishin shënuar 43 pikë dhe ballers 39, u kualifikuan në gjysmëfinale kurse Ëe Ball që kishte realizuar 37 sosh, mbeti pa plasman në katërshen e madhe të Limak Streetball Kosova 2014 në Gjilan.
Rrjedha e ndeshjeve dhe suksesi i arritur nëpër grupe e deshi që në gjysmëfinalen e parë të ndeshen dy skuadrat prizrenase kurse në atë të dytën dy skuadrat gjilanase.
Në gjysmëfinalen e parë, skuadra me emërin më simpatik në këtë turne: Kah Dulëm Na, sikurse edhe vitin e kaluar në Prizren, i bëri të pranishmit ta pyesin vetveten “… me t’vërtet, prej kah dulën kta, bre !” – Përgjigja ishte e thjeshtë: nga Prizreni dhe në gjysmëfinale ata përgatitën befasinë e dorës së parë duke e elminiuar favoritin e kësaj gare, skuadrën Ballers.
Nga ana tjetër, në gjysmëfinalen gjilanase ishte edhe më nxehtë, më dramatike dhe shumë shumë më ngushtë sepse ekipi Loosers i Fisnik memetit arriti fitore super të ngushtë prej 15:14 për të kaluar në finale.
Finlaja e Gjilanit soli duelin e Kah Dulëm Na me Loosers. Në 7 minutat e para dueli ishte plotësisht i niveluar sepse rezultati vazhdimisht ndërronte pronarin mirëpo edhe barazohej shpesh. Në shtatë minutat e para patëm hiq më pak se 7 barazime.
Barazimi i fundit, 10:10, ndoshi ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta lojë. Nga ai çast në skenë doli Fisnik Memeti i cili mori mbi vete përgjegjësin e shënimit të pikëve dhe shënoi katër pikë rresht për ta ngritur rezultatin në 14:10, kurse deri në fund Kah Dulëm Na nuk shënuan asnjëherë dhe në fund, Loosers (Humbësit) fituan krejt turneun Limak Streetball Kosova 2014 në Gjilan.
Pra, ishte ky turneu i 6-të kualifikues i edicionit të sivjetmë të Kampionatit të Republikës së Kosovës në Streetball , i quajtur sipas sponsorit gjeneral Limak Streetball Kosova 2014.
Pas garave në Gjakovë, Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj, të dielën përfundoi edhe turneu i Gjilanit dhe tash në kalendarin e garave ka mbetur vetëm edhe turneu kualifikues i Mitrovicës i cili zhvillohet të shtunën e ardhshme me 19 Korrik.
Pra, të shtunën e ardhshme, karvani i streetballit kosovar do ta vizitojë Mitrovicën për të përcaktuar edhe superfinalistin e fundit dhe për të kompletuar tetë skuadrat që do të luftojnë për tri shpërblime të vlefshme të cilat sivjet i ndanë Shoqata e Streetballit të Kosovës: “1000 copa t’buta”, kualifikimin direkt në superfinalen e vitit 2015 dhe përfaqësimin e Kosovës në garën e FIBA 3×3 Basketball, Bucharest Challenger 2015.

Humbësit (Loosers) janë fitues në Gjilan