Të shtunën me 28 qershor, me fillim nga ora 12:00, në platon para pallatit të Kulturës në Gjakovë, Shoqata e Streetballit të Kosovës tashmë e pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 (FIBA Endorsed), për herë të 15-të jubilare do të niset në shtegtimin e saj rreth Kosovës për të sjell kënaqësitë e shoqërimit me muzikë, diell dhe atraksionet e lojsë së basketit 3 kundër 3 apo si e quajmë ne , streetballit kosovar. Fati dhe rrjedha historike e streetballit kosovar e ka dashur që sivjet, Gjakova të jetë organizatore e fillimit dhe përfundimit të edicionit të 15-të jubilar të streetballit kosovar i cili është emërtuar Limak Streetball Kosva 2014, sipas sponsorit gjeneral, Limak Kosova – Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.


Pra, kampionati i 15-të i Streetball Kosovës do të fillojë me 28 Qershor në Gjakovë, më pas do të vazhdojë të dielën me 29 Qershor në Prishtinë, për të udhëtuar nëpër tërë vendin për një muaj rresht dhe në fund, më 20 Korrik aty ku filloi edhe do të përfundoi, në Gjakovë, me Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014, ku 8 skuadrat më të suksesshme do të luftojnë për titull kampioni.
Të shtunën në Gjakovë, skuadrat do të kenë mundësinë të paraqiten për pjesëmarrje në vendin e ngjarjes, duke filluar nga ora 12 dhe regjistrimet do të pranohen deri në orën 12:45 kur edhe do të mbyllet regjistrimi, do të hedhet shorti, caktohen çiftet dhe më pas, saktësisht në ora 13:00, do të bëhet hapja zyrtare e Kampionatit të 15. të Kosovës në Streetball dhe do të zhvillohet ndeshja e parë e grupit A.
Pra, bazuar në rregullat e reja të garave sipas FIBA-s anëtare e së cilës është edhe Shoqata e Streetballit e Kosovës, 16 skuadra do të ndahen në 4 grupe dhe secila do të luan me secilën. Në këtë mënyrë ekipeve do t’ju mundësohet që ti zhvillojnë së paku nga tri ndeshje kurse në fund, nga dy skuadrat më të mira të grupeve do të kalojnë në fazën e dytë të garave, atë çerekfinale, prej nga lojërat zhvillohen sipas sistemit të eliminimit deri në shpalljen e kampionit të turneut të parë kualifikues për sivjet: Limak Streetball Kosova 2014 – turneu në Gjakovë
Kështu, të shtunën mbrëma do ta mësojmë superfinalistin e dytë të sivjetmë, kampioni n e Gjakovës i cili në Superfinale do t’i bashkohet kampionit të edicionit të kaluar, skuadrës Che Bar (Fikret Shatri, Ismet Ferati, Fisnik Juniku dhe Enver Dili) cila ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt.
Kjo është vetëm njëra nga risitë e edicionit të sivjetmë. Paraprakisht, Shoqata e Streetballit e Kosovës ka marr vendim që tash e tutje, skuadra kampione e Kosovës të fitojë të drejtën e kualifikimit direkt në Superfinalen e edicionit të radhës. Kështu, kampionia e Limak Streetball Kosova 2014 do të kualifikohet direkt në superfinalen e edicionit Streetball Kosova 2015 e cila do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Prizren.
Risi tjetër është edhe kualifikimi i kampiones në garat ndërkombëtare. Sivjet, në muajin prill, FIBA 3×3 Basketball i ka dërguar ftesë speciale Shoqatës së Streetballit të Kosovës për pjesëmarrje në Bucharesht Challenger. Kështu, kampionia e edicionit të kaluar skuadra Che Bar, në fund të korrikut do të na përfaqësoj për herë të parë në arenën ndërkombëtare, në një garë zyrtare të organizuar nga FIBA. Pra, suksesi dhe tradita 15 vjeçare e Streetballit Kosovar tashmë i ka shpërthyer edhe barrierat e izolimit që i janë vënë sportit tonë dhe do t’i bashkohet familjes gjigante e cila numron mbi 300 milion streetballista të cilët shpresojnë që shumë shpejtë , nëse jo në olimpiadën Rio 2016 atëherë më së largu në LOV 2020, të bëhet sport olimpik.

http://www.3x3planet.com/event/details/TMZ14GEDLCDHBXKX

Karavani i Streetballit Kosovar niset të shtunden nga Gjakova