Artan Kurti me ekip, Qëndrim Biraj me shokë, Pjetër Doda e Drtiton Sallauka me bashkëlojtarët e FSPK, Altin Sahiti me kompani, Altin Morina me skuadër, Albatrit Berisha dhe Amir Gashi me ekipin e tyre Amigat, shumë ish-basketbollistë dhe ata që janë ende aktiv, kanë paralajmëruar se të dielën në Parkun Natyra në Prizren, do të jenë pjesë e turneut kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014.
Pas një periudhe tri vjeçare, një numër kaq i madh i ish-basketbollistëve por edhe basketbollistëve aktiv dhe atyre që për rekreacion luajnë basket “3 kundër 3” kanë paralajmëruar se do të tubohen në një vend për të matur forcat dhe për të kaluar një të diele të bukur duke u shoqëruar me ‘muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi’.


Altin Sahiti, ish basketbollisti i Bashkimit të Prizrenit dhe pjesëmarrësi i rregullt i garave të Streetball Kosova që nga viti 2008, i cili kishte luajtur edhe në turneun e Prishtinës vikendin e kaluar, ka paralajmëruar se ekziston një interesim i madh i ekipeve për të marr pjesë në turneun e dytë të pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 (FIBA Endorsed) sivjet të quajtur Limak Streetball Kosova 2014 në Prizren:
“Ndryshimet pozitive të bëra në sistemin e garave por edhe fakti që kampioni i sivjetmë shkon direkt në superfinalen e vitit të ardhshëm e cila do të zhvillohet pikërisht këtu tek ne në Prizren, si dhe fakti që kampioni i Limak Streetball Kosova 2014 do ta prezantojë vendin tonë në garat ndërkombëtare të FIBA 3×3 Basketball vitin e ardhshëm, ka ndikuar që të rritet shumë interesimi për të luajtur streteball. Temë kryesor e bisedave tona këto dy-tri ditët e fundit është pikërisht streetballi dhe mezi po e presim të dielën.Shumë ish-bashkëlojtarë të mi nga Bashkimi por edhe lojtarë aktiv më kanë thënë se do të vijnë të dielën për të më mposhtur… ha ha ha ! Por, unë e kam një porosi për të gjithë: me rëndësi është të kënaqemi ! Në radhë të parë për mua është të kalojë kohë të bukur sepse kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme gjatë të cilës ne lojtarët dhe publiku, vijmë për ta shijuar frymën e , si thotë Agon Fehmiu, ‘muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi’.
Më tej, Sahiti deklaroi se interesimi i shtuar i ish-basketbollistëve dhe lojtarëve aktiv prizrenas por edhe atyre nga Theranda, ka ndikuar që në qytetin ku lindi basketbolli kosovar të kthehet shpirti dhe fryma për këtë sport magjik. Kjo sipas Sahitit ka ndikuar edhe tek qytetarët e gjitha moshave që kanë paralajmëruar tubimin në Parkun Natyra.
Ky ambient fantastik dhe fusha në të cilën tradicionalisht, nga viti 2008, janë zhvilluar të gjitha turnetë e streetballit kosovar, të dielën do të jetë vendtakim i yjeve të dikurshme dhe të tashme të basketbollit prizrenas, si dhe dashamirëve të basketit që do të planifikojnë të kalojnë një ditë të bukur dhe relaksuese.
Festivali i streetballit në Prizren do të fillojë me regjistrimet e ekipeve nga ora 12 deri në orën 12:45 kur edhe do të hedhet shorti për ndarjen e ekipeve në grupet e fazës së parë të turneut Limak Streetball Kosova 2014 në Prizren, ndërsa ndeshja e parë do të fillojë nga ora 13:00.
Kështu, të dielën më 6 korrik, i tërë fokusi i familjes basketbollistike prizrenase dhe të rinjve e të rejave të cilët e duan këtë sport magjik, do të jetë tek qendra rekreative-sportive, Parku Natyra.
Po ashtu, nuk duhet harruar të cekim se pjesëmarrjen e vet e kanë paralajmëruar edhe disa basketbolliste prizrenase, gjë kjo e cila do ta rris për edhe një shkallë atraksionin e turneut në Prizren dhe rrjedhimisht , interesimin e publikut për Limak Streetball Kosova 2014.
E gjithë kjo ka ardhur pas disa ndryshimeve të bëra nga Shoqata e Streetballit të Kosovës e cila është pjesë zyrtare e FIBA 3×3 Basketball dhe e cila përveç çmimit kryesor prej “1000 copave t’buta” kampionit absolut të kampionatit të sivjetmë, të 15-tit jubilar të streetballit kosovar i garanton kualifikim direkt në superfinalen e vitit të ardhshëm që do të zhvillohet mu në Prizren. Për më shumë, më i miri në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 do ta fitojë edhe të drejtën që ta përfaqësoj vendin tonë në garat ndërkombëtare të vitit të ardhshëm, Bucharest Challenger 2015.
Për faktin se deri tash janë zhvilluar dy turnetë e para kualifikuese në Gjakovë dhe Prishtinë, si dhe duke e ditur njërën nga risitë kryesore të edicionit të sivjetmë se, skuadra kampione e Kosovës kualifikohet direkt në Superfinalen e edicionit të radhës, tashmë kemi emrat e tre superfinalistëve të parë.
Kampionia e edicionit të kaluar, skuadra Che Bar e përbërë nga ish basketbollistë kampion të Kosovës: Fikret Shatri dhe Ismet Ferati, si dhe lojtarët e talentuar, Fisnik Juniku dhe Enver Dili, ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 e cila sivjet zhvillohet në Gjakovë, më 20 Korrik. Dy skuadrat tjera superfinaliste janë fitueset e turneve kualifikuese në Gjakovë, skuadra HD Club e udhëhequr nga Driton Rraci, respektivisht ekipi Mr.Pantina i udhëhequr nga Valon Behrami i cili triumfoi në Prishtinë.
Kështu, pas garave të këtij vikendi, të shtunën në Pejë dhe të dielën në Prizren, do të mësojmë emrat e pesë nga gjithsejtë tetë skuadrave superfinaliste të edicionit të 15të jubilar të streetballit kosovar që synojnë titullin e kampionit absolut të Limak Streetball Kosova 2014 dhe shpërblimet si : “1000 copa t’buta”, kualifikimin direkt në superfinalen e edicionit të ardhshëm, Streetball Kosova 2015, i cili do të zhvillohet pikërisht në Prizren dhe reprezentimin e Kosovës në garat ndërkombëtare, Bucharest Challenger 2015, garë kjo e organizuar nga FIBA 3×3 Basketball e cila në rast të suksesit të skuadrave tona ju garanton pjesëmarrjen në gara edhe më kualitative të streetballit si që janë FIBA 3×3 Masters, World Tour dhe World Tour Finals.
Pra, suksesi dhe tradita 15 vjeçare e Streetballit Kosovar tashmë i ka shpërthyer edhe barrierat e izolimit që i janë vënë sportit tonë dhe ky sport i është bashkuar familjes gjigante e cila numron mbi 300 milion streetballista të cilët shpresojnë se shumë shpejtë, nëse jo në olimpiadën Rio 2016 atëherë më së largu në LOV 2020, basketi 3 kundër 3 të bëhet sport olimpik.

Në Prizren tubohen yjet e basketbollit prizrenas