Një prej edicioneve më kualitative në histori të streetballit kosovar, ashtu si filloi edhe mbaroi: me gara të jashtëzakonshme, rivalitet maksimal, atraksione të papara dhe para se gjithash, korrektësi dhe fair-play çfarë asnjëherë deri tash nuk kemi parë.

Superfinalja e zhvilluar të dielën me 20 Korrik në zemër të Gjakovës, ishte spektakël i paparë në historinë e streetballit kosovar.


Superfinalja e Limak Streetball Kosova 2014, ishte ajkë mbi ëmbëlsirën e sivjetme streetballistike.

Adhurues të shumtë të streetballit, pa dallim moshe dhe gjinie, nga gjitha viset dhe trojet e vendit tonë, të dielën ishin tubuar në zemër të Gjakovës e cila sivjet ishte epiqendër e ‘basketit 3 kundër 3 në një kosh’. Si thamë në fillim, edicioni i 15-të jubilar i streetballit kosovar, ashtu si filloi edhe përfundoi, në mënyrë perfekte. Lojëra të bukura, rivalitet i hatashëm, atraksione që ngritën në këmbë shikuesit, fluturime fantastike streetballistike dhe ngulitje që na lënin të gjithëve gojëhapur dhe në fund, finalja fenomenale e Superfinales së sivjetme, dueli i dy skuadrave gjigante të streetballit kosovar Che Bar dhe Loosers, kampionëve të Gjilanit.

Për Che Bar, ishte kjo reprizë e finales së vjetme dhe si thotë rinia e jonë sot, “copy paste” e ngjarjes së zhvilluar vitin e kaluar. Ngjashëm sikurse edhe në finalen e Superfinales së eidionit 2013, Che Bar filloi ngadalë dhe me disavantazh por në fund, kampionët në fuqi tiurmfuan duke e mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës në Streetball dhe njëherësh duke dëshmuar formë të lartë vetëm 6 ditë para se të nisen në udhëtimin historik për në Rumani, ku do të marrin pjesë në Bucharest Challenger 2014 dhe do të debutojnë si skuadër përfaqësuese e “Streetball Kosova”, Shoqatës së Streetballit të Kosovës anëtare të FBK dhe FIBA 3×3 Basketball.

Pra, Che Bar jo vetëm se triumfoi në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 në një konkurrencë të jashtëzakonshme, ndoshta më të fortën ndonjëherë prej se garat mbahen në 7 qendrat kryesore të Kosovës por njëherësh dha sinjal se kjo përbërje është e gatshme për prezantimin historik të streetballit kosovar në një garë zyrtare të FIBA 3×3 Basketball.

Finalja ishte perfekte. Të dy skuadrat ishin maksimalisht të motivuara. Beteja është zhvilluar në mënyrë të niveluar në secilën pozitë. Fikret Shatri luftoi në qendër me Fisnik Memetin, Fisnik Juniku u përball direkt me Florian Kurteshin, streetballistin më fer fhe më korrekt të këtij edicioni, kurse në pozitat e alo-së, Enver Dili dhe Ismet ferati kishin përball dyshen Gynet Bajra dhe Ukshin Demi.

5 minutat e para të finales ishin plotësisht të niveluara. Che Bar dhe nga ana tjetër Loosers luftonin për çdo top dhe çdo pikë, por kjo njëherësh i kushtoi Loosersave me ngarkim të shpejtë me gabime personale dhe këtë më së miri e shfrytëzuan Enver Dili dhe Fisnik Juniku që ishin të saktë nga gjuajtjet e lira dhe në minutën e 6-të të takimit krijuan avantazh prej 3 pikëve, të cilin e ruajtën deri në fund. Dueli përfundoi me rezultat 15:12.
Në fund në një ceremoni të paparë deri tash, shpërblimet për vendin e dytë i ndau Artor Berdyna, drejtor i marketingut i Bankës për Biznes Shpërblimet kurse shpërblimet kryesore, medaljet e arta, Kupën e kampionit dhe çekun prej 1000 copave t’buta, skuadrës Che Bar ja dorëzoi drejtori gjeneral i Limak Kosovës, Haldun Kokturk.

mitrovica23

Triumfi i Che Bar në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014
Haldun Kokturk – Drejtori Gjeneral e jep shpërblimin e parë

Kështu, Che Bar e mbrojti titullin e Kampionit dhe bëhet vetëm skuadra e tretë në histori të streetballit kosovar e cila e fitoi titullin dy herë rresht. Më herët, këtë sukses e kanë arritur Asamoah (Arian Maliqi, Valmir Mustafa, Erzen Bunjaku dhe Lekë Kelmendi) e cila kishte triumfuar në vitet 2005 dhe 2006, si dhe skuadra mitrovicase Infocom Canon që mbanë rekordin me tre tituj të njëpasnjëshëm të fituar në 2010, 2011 dhe 2012, trofe këto që i fitoi nën udhëheqjen e Drilon Hajrizit, Bujar Begut, Izet Tahirit, dhe Erblin Ademit i cili në vitin 2012 kishte luajtur në vend të Artan Mehmetit të lënduar.

Kampionia e dyfishtë e Kosovës në Streetball, Che Bar, sivjet jo vetëm se fitoi super-shpërblimin që e dhuron Shoqata e Streetballit të Kosovës: “1000 copa t’buta” por njëherësh fitoi të drejtën e kualifikimit direkt në Superfinalen e vitit 2015 që luhet në Prizren dhe njëherësh, edhe në vitin 2015 do ta përfaqësojë Kosovën në Bucharest Challenger 2015.

 

Reprizë e vitit 2013: Che Bar mbron titullin e kampionit