Limak Streetball Kosova 2016
Limak Streetball Kosova 2016

Turneu i Prishtinës ka dhënë Superfinalistin e pestë, skuadën Seba Team, që të dielën ka triumfuar në kryeqytet, në turneun më masovik deri më tani.

Basketbollisti aktiv Driton Bajrami, ish-basketbollisti Drin Kurtolli dhe dyshja Sebush Dermaku e Alban Latifaj, janë pjesë e ekipit Seba Team, që në finale mposhtën ekipin Newborn, me rezultat 14:8.

Kjo skuadër ka tejkaluar parashikimet, duke mposhtur edhe rivalin kryesor për titull në Prishtinë, skuadrën The Answer, pjesë e së cilës ishin dy basketbollistët aktivë, Kreshnik Juniku e Mustafë Merovci, që luajnë në Superligë.

Këtë skuadër, Seba Team, e mposhti në gjysmëfinale, edhe pse ishte duke pësuar në fillim 0-9 dhe më pas 3:14. Vendimtare ishte shënimi për 20-19, një dyshe në çastet e fundit, për të siguruar finalen.

Në përgjithësi, turneu i Prishtinës ka qenë i veçantë, që nga fillimi, kur u paraqitën numër maksimal ekipesh deri më tani në këtë edicion, të Limak Streetball Kosova 2016.

Gjithsej 15 ekipe, 8 në konkurrencën amatore dhe 7 në atë profesioniste, u paraqitën për gara.

Që në ndeshjen e parë të amatorëve, kur ndeshja shkojë në vazhdime, duke u tregua rivalitet i lartë në këtë kategori, e deri në fund, në turneun e Prishtinës, u mbyll me tetë ndeshje që shkuan në vazhdime.

Si zakonisht të parët luajtën amatorët, që pas 18 ndeshjeve në grupe përcaktuan gjysmëfinalsitët, skuadrat Arleo Little – BSK Team  dhe Pitushat – Fitokimia.

Në vazhdim, profesionistët treguan lojëra të forta dhe shumë rivalizuese, për të përcaktuar katër gjysmëfinalistët, skuadrat: Newborn – Fenchat dhe The Answer – Seba Team.

Nga amatorët, në finale shkuan ekipet Arleo dhe Pitushat, ndeshje kjo që u përcaktua pas vazhdimeve, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 17:17. Në vazhdimin e finales, më të përqëndruar ishin Arleo, që shënojë një dyshe për 19-18 dhe njëherësh siguruan biletën për Superfinalen e 7 gushtit, në konkurrencën e amatorëve.

Ndërkohë te profesionistët, në finale shkuan Seba Team dhe Newborn që në gjysmëfinale patën kundërshtar të fortë, me lojtarë edhe nga Superliga.

Finalja, e cila u zhvillua në prani të shumë shikuesve në kryeqytet, i takoi ekipit Seba Team, që pa problem triumfoi me rezultat 14:8, për të siguruar vendin në Superfinalen e Madhe të Ferizajit.

Për herë të tretë rresht, Streetball Kosova, emërtohet sipas sponsorit gjeneral, Limak Kosova, ndërsa ka mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Radiotelevizionit 21.

Garat e Limak Streetball Kosova 2016, vazhdojnë javën e ardhshme me turnetë përfundimtar, në Pejë më 30 korrik dhe në Mitrovicë, më 31 korrik.

NGA PRISHTINA, NË SUPERFINALE SHKON SEBA TEAM