LIMAK STREETBALL KOSOVA 2016

CHE BARI, fiton Superfinalen dhe përfaqëson vendin në Bukuresht Challenger

 1

Kampioni i para dy vjetëve, skuadra Che Bar nga Prishtina, por superfinalist i Ferizajit, ka fituar turneun e sivjetmë të Streetballit, Limak Streetball Kosova 2016.

Fikret Shatri, Fisnik Juniku, Albatrit Berisha dhe Etnik Peci, triumfuan pa asnjë humbje në Superfinalen në Ferizaj, ku merrnin pjesë, shtatë kampionët e qyteteve të Kosovës dhe kampioni i vitit të kaluar Vision Group, të cilën skuadër Che Bari e mposhti në gjysmëfinale.

Në finale, Che bari e mposhti kampionin e Prizrenit, ekipin Shmekat, që përbëhej nga basketbollistët aktivë Qëndrim Biraj, Artin Gashi e Altin Morina, si dhe streetballisti Arianit Çollaku.

Në fillim, luajti më mirë ekipi prizrenas, që pati epërsinë e lehtë, por më pas ndeshja ka qenë e barabartë, deri në 1 minutë e gjysmë pa përfunduar ndeshja. Mirëpo në 90 sekondat e fundit, ka qenë vendimtar Fisnik Juniku me tri dyshe, rresht për rezultatin final 21:17, në favor të Che Barit.

Kështu ekipi prishtinas, por që përfaqësonte Ferizajin, ka fituar epitetin e kampionit për këtë edicion, çmimin prej 1 mijë eurove, si dhe të drejtën për të përfaqësuar këtë javë Kosovën, në turneun Challenger të Streetballit, në Bukuresht të Rumanisë.

Ndërkohë, në kategorinë amatore ka triumfuar ekipi mitrovicas MM Cana Kualitet, e përbërë nga Erblin Ademi, Ngadhnjim Shabani, Izet Tahiri dhe Ardit Tahiri.

Kjo skuadër, në finale fitoi me rezultat 12:9, duke e mposhtur ekipin prizrenas “Katërshja”, që përbëhej nga ish-basketbollistët Hyjnor Jasiqi, Pjetër e Palush Doda dhe Kushtrim Aliu.

Superfinalja në Ferizaj, për dallim nga vitet e tjera, kësaj radhe u mbajt në Palestrën e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj, pasi parashikohej që të dielën do të mbretëronte moti i lig e me shi, gjë që do të kishte pamundësuar zhvillimin e Superfinales, në qendër të Ferizajit, në sheshin para Kuvendit Komunal.

Por kjo nuk pengoi aspak zhvillimin e dueleve shumë cilësore, me shumë rivalitet dhe streetball të vërtetë, nga 16 ekipet në të dy kategoritë, amatore dhe profesioniste.

Duhet theksuar se kjo superfinale, ka qenë e veçantë, pasi për herë të parë, ndeshjet finale, janë transmetuar në Radio Televizionin 21, medium ky i cili e ka mbështetur fuqishëm edhe këtë edicion, të Limak Streetball Kosovës.

Streetball Kosova, për herë të tretë rresht, emërtohet sipas sponsorit gjeneral, Limak Kosova, ndërsa ka mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Radiotelevizionit 21, si dhe Bankës Raiffeisen dhe Ministrisë së Diasporës.

CHE BARI, fiton Superfinalen dhe përfaqëson vendin në Bukuresht Challenger