Edicioni i 20-të jubilar i Streetboll Kosova do të fillojë me 19 Korrik dhe sikurse çdo vit edhe sivjet do të ketë shumë supriza.

Ky edicion do të jetë shumë i veçantë pasi do të ketë edhe organizimin e 20-të jubilar me moton “20 vjet liri – 20 vjet kënaqësi basketbolli”.

Si asnjëherë tjetër, Kampionët nëpër 7 qytete, përveç që do të kualifikohen në Superfinalen e 28 korrikut do të shpërblehen edhe me nga 200 euro, ndërsa fituesi i Superfinales e cila sivjet është garë ndërkombëtare dhe turne Satelitë i FIBA 3×3 (Streetball Kosova International Cup 2019)Streetboll Kosova 2019, krahas shpërblimit prej 3000 eurove do të marrë pjesë në FIBA 3X3 LUBJANA CHALLENGER 2019 (17-18 Gusht), si pjesë e FIBA 3×3 World Tour.

Nga sivjet numri i skuadrave është limituar në vetëm 12, nga 4 për qytet.

Kusht për pjesëmarrje në Streetboll Kosova 2019 është regjistrimi në profilin e FIBA 3X3 ku ky regjistrim është shumë më i thjeshtë se sa hapja e profileve ne Facebook apo Instagram.

Lojtarët që nuk kanë profil në FIBA 3X3 duhet me patjetër të hapin profil për të pasur mundësi të luajnë kte edicion të Streetboll Kosova 2019.

Nga sivjet, lojtari i cili regjistrohet për një ekip të Streetboll Kosova Tour 2019, nuk mund të ndryshojë dhe të luajë për ndonjë ekip tjetër.

Skuadrat për të bërë gara sivjet mund të regjistrojnë për komplet edicionin 6 lojtarë (4 të ekipit të parë dhe 2 rezervistë) të cilët luajnë me rotacion apo zëvendësohen në rast të lëndimeve apo pamundësive që ndonjë nga 4 anëtarët e ekipit të parë të paraqitën në ndonjërin prej turneve në mbarë Kosovën.

Me këtë, STREETBALL KOSOVA si organizata më e vjetër e basketbollit të Kosovës e pranuar si institucion në FIBA, gjegjesisht FIBA 3×3, ju mundëson juve si lojtarë dhe ekipeve tuaja që dëshironi të merreni seriozisht me 3×3, jo vetëm të luani dhe të kënaqeni me streetball apo 3×3 por edhe të fitoni numër maksimal të mundur të pikëve në Kosovë dhe rangim individual shumë më të mirë në FIBA 3×3 Listën Botërore të lojtarëve.