Prishtinë(StreetballKosova) – Me moton 20 vjet – LIRI, 20 vjet – muzikë, diell dhe kënaqësi Streetbolli, dhe me spektakël të paparë në vendin tonë më herët, është mbyllur dje edicioni i 20-të i Streetball Kosova International 2019, që sivjet festoi jubileun e 20-të të formimit.

Fillimisht pas rrugëtimit nëpër 7 komunat kryesore të vendit dhe me fituesit e këtyre qyteteve, me kampionët e vitit të kaluar “Depërtejshën” si dhe 4 skuadra nga shtetet fqinje të Kosovës u kuptuan 12 skuadrat që do të kërkonin titullin e Streetball Kosova International 2019, si dhe 3 mijë copa t’buta e vizën për Lubjana Challenger 2019.

E përcaktuar si datë finale, 28 Korriku i 2019-të solli në Prishtinë një spektakël dhe organizim fantastik nga drejtuesit e shoqatës së Streetball Kosova, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme qe 20 vite, qysh nga themelimi për ta kënaqur publikun kosovar me lojën 3×3 që tash do të jetë edhe si sport olimpik.

Ekipet të cilat dje ishin në super-finalen e madhe të Prishtinës: Air Force One, Air Sun Fragment, Bero Kingdom, Depërtejshën, G-Unit, Kerasan, L Bistro House, Nord Gym, Pro Eng Përlepnica, Shmekat, Statist Split dhe The Answer.

Ekipi mitrovicas L Bistro House, si dhe ekipi gjilanas Pro Eng Përlepnica nuk udhëtuan fare në super-finalen e Prishtinës dje, kjo bëri që garat e super-super finales së nxehtë që u mbajt në kryeqytetin e Kosovës-Prishtinë të garojnë 10 ekipe.

Ekipet e super-finales së Prishtinës ishin të ndara në katër grupe: A, B, C dhe D. Të gjitha grupet kishin nga 3 ekipe dhe vetëm liderët e grupeve kaluan në gjysmëfinale.

Në grupin A: Statist Split(Kroaci), Shmekat(Pejë), The Answer(Ferizaj).

Në grupin B: G-Unit(Mal i Zi), Bero Kingdom(Prizren), L Bistro House(Mitrovicë).

Në grupin C: Air Force One(Gjakovë), Kerasan(Shqipëri), Pro Eng Përlepnica(Gjilan).

Në grupin D: Nord Gym(Bullgari), Depërtejshën(Kosovë), Air Sun Fragment(Maqedoni Veriore).

Sa i përket ndeshjeve të super-finales së madhe të Prishtinës, kjo garë fillimisht u mendua dhe nisi në ambient të jashtëm, konkretisht tek Platoja afër Grandit, tek Sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe gjithçka po shkonte shumë mirë, ekipet nisën lojërat dhe u zhvilluan edhe disa prej ndeshjeve të fazës së grupeve në një organizim fenomenal dhe nën shoqërimin e shumë adhuruesve të Streetbollit por edhe qytetarëve të thjeshtë që kishin dalur ti përcjellnin ndeshjet që ishin të jashtëzakonshme.

U zhvilluan 4 takime të fazës grupore, por pas tyre filluan reshjet e shiut, për çka u desh të ndërpreheshin garat dhe të veprohej me planin B, kur u pa se shiu nuk e kishte ndëmend të ndalej, dhe u vendos që garat të barteshin në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, në ambient të brendshëm. 

Pas vendosjes në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, rifilluan ndeshjet e fazës grupore dhe u përcaktuan katër gjysmëfinalistët e  super-finales së Prishtinës.

Statist Split në përbërje: Toni Mindoljevic, Ante Markoc, Duje Kaliterna dhe Ivan R kundër Nord Gym që kishte në përbërje: Ivan Tilev, Dayman Stoyanov, Ilian Evtimov dhe Lyuben Paskov ishte – Gjysmëfinalja e parë.

G-Unit në përbërje: Marko Dabanovic, Marko Mijovic, Mi- Milosevic dhe Vladimir Tomasevic, luajtën kundër Air Force One në përbërje Altin Sahiti, Arti Hajdari, Albatrit Berisha dhe Arian Mehmeti që ishte – Gjysmëfinalja e dytë.

Për shkak të ndërrimit të lokacionit, ndeshja e VIP-ave që ishte e paraparë të zhvillohej u anulua, por nuk u anulua Shou i “DUNKING DEVILS” i cili elektrizoi Pallatin e Rinisë dhe Sporteve me ngulitjet monstruoze dhe fluturimet kozmike të ekipit slloven që erdhi nga Sllovenia enkas për super-finalen e Prishtinës. Dhe pas ndeshjeve të fazës grupore, doli në skenë për ta kënaqur publikun e mbledhur në Pallatin e Rinisë me fluturimet kozmike dhe fantastike që dinë ti bëjnë vetëm lojtarët e “Dunkind Devils”.

Pas shout të parë “Dunkind Devils”, u luajtën dy ndeshjet gjysmëfinale të cilat ishin të jashtëzakonshme dhe sollën shumë konkurencë në frymën e korrektësisë në mes ekipesh.

Në gjysmëfinalen e parë, ndërmjet Statist Split nga Kroacia dhe Nord Gym nga Bullgaria, fillimisht skuadra bullgare e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar një avantazh dhe diferencë prej 3-4 pikësh, por në fraksionin e dytë të ndeshjes, kroatët y rikthyen fuqishëm në lojë dhe me përmbysje rezultati mposhtën ekipin bullgar për të kaluar në finale të super-finales së Streetball Kosova International 2019.

Statist Split – Nord Gym, 21-17. Statist Split finalist i parë i super-finales.

Në gjysmëfinalen e dytë, ekipi malazez G-Unit u ndesh me ekipin e fuqishëm nga vendi ynë, Air Force One, duke bërë që edhe në këtë gjysmëfinale të ketë konkurencë të jashtëzakonshme ashtu si në të parën. Me ekipin malazez që kishte më shumë nga loja, Air Force One, vazhdimisht ishin afër me rezultat kundrejt malazezëve që kishin avantazh të ngushtë në fraksionin e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, G-Unit luajtën më sigurtë se Air Force e Kosovës, për të arritur fitore 21-14 dhe për të kaluar në finalen e super-finales së Prishtinës.

G-Unit – Air Force One, 21-14. G-Unit finalist i dytë i super-finales.

Pas përcaktimit të finalistëve, nisi edhe shou i dytë i sllovenëve “Dunking Devils” të cilët dhuruan spektakël të paparë në Kosovë, për të dytën herë dje.

Pas shumë e shumë, ndeshjeve të jashtëzakonshme finale dje, erdhi edhe momenti kulminant i super-finales së Prishtinës.

Statist Split në përbërje: Toni Mindoljevic, Ante Markoc, Duje Kaliterna dhe Ivan R, luajtën në finale, kundër ekipit malazez, G-Unit në përbërje: Marko Dabanovic, Marko Mijovic, Mi- Milosevic dhe Vladimir Tomasevic.

Në këtë finale të përmasave ndërkombëtare u përballën dy ekipe titanësh me përvojë të madhe në basketbollin 3×3. Të dyja ekipet hynë në fushë me mision fitore, por vetëm njërës do i takonte epiteti i më të mirës. Përkundër rivalitetit në parket, korrektësia e të dyja ekipeve si për çudi ishte në nivelin më të lartë të mundshëm, krejt kjo edhe falë punës së palodhshme të organizatorëve të tuneut me ekipet, para nisjes së sfidës.

Ekipi i G-Unit nga Mali i Zi e nisi shumë më mirë ndeshjen finale ndaj Kroatëve nga Spliti. Kjo bëri që këta të fundit ta ndjeknin rezultatin deri në fund, por malazezët deri në fund e mbajtën avantazhin minimal dhe nuk lejuan t’ju rrëmbehej fitorja. Në fund ndeshja e madhe finale që me plotë meritë e arsyetoi epitetin FINALE, përfundoi me shifrat e ngushta 17-19 në të mirë të G-Unit nga Mali i Zi.

Pas triumfit të G-Unit nga Tivari i Malit të Zi në Streetball Kosova International 2019, kupën e fituesit e ndau Shemsije Stublla, ish basketbolliste e gjeneratës së artë e Universitetit dhe tash e 30 vite lojtare dhe trajnere në Slloveni, njëherazi anëtare e reprezentacionit të Sllovenisë per veteranë ndërsa çekun e super-shpërblimit prej 3 mijë eurosh ua dhuroi doajeni i sportit kosovar, Profesor Arsim Fehmiu, doajen i sportit te Kosovës, kryetar i AkademisëvOlimpike të Kosovës dhe kryetar nderi i Streetball Kosova.

Për fund, falenderim i veçantë të gjithë njerëzve dhe organizatave dhe në veçanti sponzorëve që ndihmuan në organizimin e turneut jubilar i 20-i i Streetball Kosova dhe që pa juve i gjithë ky organizim i jashtëzakonshëm do të ishte i pamundur, JU FALEMNDERIT PËRZEMËRSISHT dhe shihemi në edicionet e ardhshme.